Secondary Adv

Ibrahimaj: Në tetor nis programi për përgatitjen e 48 mijë bizneseve për tregun e BE

Qeveria ka prezantuar një program të ri për përgatitjen e bizneseve shqiptare për integrimin në tregun e Bashkimit Europian, duke e vendosur sektorin privat në qendër të procesit të integrimit.


Programi parashikon zbatimin e tij në 4 fazë, duke përfshirë informim, trajnime, mbështetje për standardet dhe rritjen e konkurrueshmërisë.


Gjatë prezantimit Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj tha se, paralelisht me programin, po ndërmerren edhe reforma për përmirësimin e klimës së biznesit.


Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë katër viteve të fundit janë financuar startup-et me 16.7 milionë euro, ndërsa përmes Bankës së Shqipërisë dhe garancisë sovrane janë vënë në dispozicion rreth 250 milionë euro për kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. është hartuar Strategjia për Zhvillimin e Eksporteve dhe Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme.


Ministrja Ibrahimaj tha se objektivi është që gjatë këtij viti të mbështeten rreth 48 mijë biznese me trajnime dhe materiale për transformimin dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.


“Programi mbështetet në katër shtylla kryesore. Dy të parat lidhen me kategorizimin e bizneseve dhe analizimin e përmbushjes së standardeve, duke përfshirë sigurinë në punë, mbrojtjen e mjedisit dhe kërkesat e tjera të legjislacionit europian. Për këtë është përgatitur një matricë vlerësimi dhe është realizuar një vrojtim për të identifikuar nevojat e bizneseve.


Në muajin tetor do të nisë një proces informimi dhe asistence “derë më derë” për bizneset që kanë detyrimin të përmbushin standardet europiane. Objektivi është të asistohen rreth 48 mijë biznese.


Shtylla e tretë fokusohet te zhvillimi i aftësive të fuqisë punëtore dhe kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjeve, ndërsa shtylla e katërt synon rritjen e konkurrueshmërisë përmes programeve të posaçme të transformimit, të hartuara mbi bazën e nevojave të identifikuara.


Zbatimi i këtij programi kërkon bashkëpunimin e institucioneve publike dhe sektorit privat, me synimin për të krijuar një qasje të përbashkët “Team Albania” në procesin e integrimit ekonomik”, pohoi ministrja Ibrahimaj.


Shkodra: Vetëm 15% e kompanive njohin kërkesat e tregut europian


Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së bashkimit të Prodhuesve Shqipëtarë Arben Shkodra, e cilësoi programin si një mundësi të rëndësishme për biznesin shqiptar, duke theksuar se tregu europian me 540 milionë konsumatorë përfaqëson një potencial të madh, por edhe një sfidë të konsiderueshme, veçanërisht për industrinë ushqimore.


“Ushtrimi i zhvilluar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit evidentoi gjendjen reale të sektorit ushqimor dhe të industrisë së përpunimit të lëkurës, si dy sektorë që kërkojnë mbështetje të veçantë.


Nga sondazhi i zhvilluar në muajt tetor-nëntor dhe dhjetor nga rreth 2,500 kompani të analizuara, vetëm 15% janë të njohura me kërkesat dhe funksionimin e tregut europian, çka tregon se informimi dhe ndërgjegjësimi i bizneseve duhet të jetë hapi i parë për rritjen e pranisë së tyre në tregun e Bashkimit Evropian.


Suksesi i programit do të matet me numrin e bizneseve shqiptare që do të arrijnë të operojnë dhe të mbeten konkurruese në tregun europian”, pohoi ai.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat